Ministrja e Energjetikës për vizitë në laboratorin për kontrollin e orëmatësve të energjisë elektrike të Elektrodistribuimit

12.11.2025

Trupi i inspektimit të orëmatësve të energjisë elektrike pranë Elektrodistribuimit, i cili është i akredituar sipas standardeve ndërkombëtare dhe shërben për testimin metrologjik të orëmatësve, u vizitua sot nga Lëndëve të Para, znj. Sanja Bozhinovska.

Ky trup kryen kontrollin e saktësisë së orëmatësve me kërkesë të konsumatorëve. Aktivitetet e tij përfshijnë kontrollin e rregullt dhe të jashtëzakonshëm të orëmatësve, kontrollin metrologjik të cilësisë së tyre, si dhe inspektimin e jashtëzakonshëm të funksionalitetit të matësve (testi A), me qëllim sigurimin e saktësisë, besueshmërisë dhe transparencës në matjen e konsumit të energjisë elektrike.

Vizita u realizua pas përfundimit të vlerësimit të 13-të të rregullt mbikëqyrës nga Instituti i Akreditimit i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Byroja për Metrologji pranë Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para, të cilat përsëri këtë vit konfirmuan se Trupi i Inspektimit të Orëmatësve plotëson tërësisht kërkesat e standardit ndërkombëtar MKS EN ISO/IEC 17020.

Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para, znj. Sanja Bozhinovska, nën shoqërimin e drejtorit të Byrosë për Metrologji, z. Sedad Rushani, vëzhguan nga afër pajisjet që përdoren në laborator, përfshirë edhe shtatë stacionet moderne të testimit të prodhuara nga kompania gjermane EMH. Ata u njohën gjithashtu me ekipin profesional që çdo ditë siguron testime metrologjike precize, të sigurta dhe transparente të orëmatësve.

“Vendi ynë disponon laboratorë shumë të kualifikuar që punojnë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Testimi i saktë i orëmatësve është një segment kyç në krijimin e besimit tek konsumatorët, sepse çdo qytetar duhet të jetë i sigurt se paguan për energjinë që realisht e ka konsumuar. Rezultatet e vlerësimit të fundit mbikëqyrës konfirmojnë se Trupi i Inspektimit të Orëmatësve të Elektrodistribuimit është shembull i profesionalizmit dhe transparencës.

Laboratorë të tillë patjetër duhet të jenë modernë, të certifikuar dhe kredibilë, në mënyrë që qytetarët të dinë se ekziston një vend ku mund të kontrollojnë funksionalitetin dhe saktësinë e orëmatësit të tyre. Kjo është çështje e drejtësisë, besimit dhe interesit publik.” – theksoi Bozhinovska.

Ekipi menaxhues i Elektrodistribuimit theksoi se kompania do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e teknologjisë dhe trajnimin e stafit profesional me qëllim të ruajtjes së nivelit të lartë të saktësisë dhe objektivitetit në procesin e testimit të orëmatësve sipas standardeve më të larta të cilësisë.

Që nga viti 2012, kur Trupi i Inspektimit të Orëmatësve u akreditua për herë të parë, kompania ka arritur me sukses ta rifitojë akreditimin para institucioneve shtetërore më të larta, gjithmonë me vlerësim pozitiv.

“Tek Elektrodistribuimi investojmë në dije, teknologji dhe sisteme që sigurojnë saktësi dhe objektivitet në procesin e testimit të orëmatësve. Në këtë proces, çdo detaj është i rëndësishëm – nga pajisjet më moderne deri te ekspertiza e ekipit që qëndron pas çdo kontrolli.” – theksoi ekipi menaxhues i Elektrodistribuimit.

Ekipi i Elektrodistribuimit para të pranishmëve prezantoi në detaje teknologjinë, proceset dhe procedurat që aplikohen në drejtim të realizimit të aktiviteteve që lidhen me kontrollin dhe testimin metrologjik të orëmatësve.